Midis zjarrit dhe valës ose lëmimi simetrik
Valdet N. Berisha
Një qasje librit të Shaip Beqirit
Për Shaip Beqirin është folur, po flasim sot këtu dhe do të flitet. Për t'iu qasur vjershave të tij, duhet t'i qasesh së pari vetes, të kërkosh atë që e kërkojnë të gjithë të vdekshmit: zgjidhjen, për veten dhe të tjerët. Ekspedita e marrjes me këtë krijim, pas një inspektimi të përgjithshëm, në të cilin befasimi me segmente të ndryshme është i pashmangshëm, të vë para provës së mëdyshjes: a do të gjesh atë që kërkon dhe a është ajo që ai thotë vërtet ajo që të duket ashtu.
Mua më pëlqen kjo sfidë
Qëllimshëm nuk dua të viktimizohem duke përdorur hyrjet e trishtueshme antiemblematike si: krijon me lehtësi figurën poetike, është zë serioz, kap dhe rrumbullakëson suksesshëm tema dhe motive etj. Jo se këto pranime do të ishin të gabueshme, përkundrazi, ato do të ishin më shumë se goditëse, por, sepse, kam ndjenjën, diçka e tillë do të përgjunjëzonte këtë qasje. Prandaj, unë do të përpiqem - pa tendenca shteruese në këtë vazhdë se daullja ime tingëllon më së miri - të shtroj ca minipika të anëve të spikatura të vjershave në këtë libër.
Për këtë, duhet kapur gjendja. Beqiri shkruan:
"Rrëzë bregut/ këndej heshtjes [...]/ këndej zjarrit /Gjinjve të etjes bregohem unë" (Vjersha: "Këndej heshtjes kotet qielli", f.55). Këto konstatime janë shenja gjeografike të lëvizjes, të navigimit konstant, të vajtje-ardhjes së pandërprerë, të një gjendjeje të pambaruar në rrafshin gramatikor dhe te një pike fronti: këndej unë, andej të gjitha, me mua dhe kundër meje.
Simbolika shtegtuese paraqitet midis vetes lirike dhe veçantive të zakonshme gjeografike (f.13). Shqetësimi në katakombin lirik, në fortesën me mekanizëm efikas mbrojtjeje, shkrihet me dukuri të përjetshme, me të cilat përballohet njeriu. Edhe pse këta rrathë, që më parë do të hynin në shqetësimin global të secilit, ai, pra autori, i bën të funksionojnë vetëm për të.
Shaip Beqiri punon në të njëjtin konstruksion, me të njëjtat vegla komunikuese, në të njëjtin sistem, duke besuar se aty përherë mbetet diçka mangu. Ai nuk ia kthen shpinën së djeshmes, në moton: është kryer, tash fillon një maratonë e re, por vazhdon t'u rikthehet lëvizjeve, për t'i sistemuar ato në botën e perfeksionit.
Filozofia e rikthimit në qasjen e parë është rilindje e vazhdueshme dhe përmban në thelb heroizëm tragjik në punëtorinë e tij lirike të pambyllur. A është këtu në veprim kriza, gjendja e jashtëzakonshme, apo pakti i hekurt me shqetësimin?
Koncepti i daljes nga kriza në krizë emocionale është i njënjëshëm. Edhe koncepti i zhvillimit të ndjenjisë, përkatësisht të një erotike pjesërisht hermetike me shpërthime nga kështjella e përmbajtjes është i thellë: ai ngërthen procese të gjera në zhvillim.
Elementet e buta erotike në poezinë e tij ta rikthejnë ndjenjën se dashurisë duhet qasur me figuracion të përpiktë deri në marramendje; tablotë e tij përshkohen me përmbajtje të pazakonshme për një poet të ri, siç ka qenë Beqiri në fillimet e krijimit, dhe mbeten të tilla edhe dekada më pas, si një qasje besnike e filozofisë së pranimit të fenomenit të dashurisë. Beqiri trajton këtë motiv me një thellësi të jashtëzakonshme.
Intelektualiteti është pika tjetër
Shaip Beqiri është lektyrë për të kultivuar, me të cilin nuk mund të fillojnë shumë barinjtë, dhe asnjëherë njësegmentor. Kjo manifestohet në truket hermetike. Dhe aty fshihet qëllimi, duke të të mbrojtur me prita, për të mos e dekoduar dot kumtin e zjarrshëm në vjershat e tij, që të vësh t'i sillesh e të hapësh dyer nga më të pamundurat për t'u gjetur brenda tyre. Por, pse ky qëllim?
Vlera, sipas këndvështrimit tim, është tensioni që ai u jep atyre, faktet shumëherë të kryera, pajtimi dhe prapë mospajtimi me to. Ai i respekton ligjet e dialektikës, i sheh ato seriozisht rreth strumbullarit vetiak dhe problemet universale i shpall të vetat, të vetave u jep vulë universale, shqetësimet e miqve të tij dhe përshkrimet i inkuadron pangatërrueshëm në orbitën personale. Poezia e tij është e pakohë, nuk njeh moshë.
Shaip Beqiri në vjershat e tij është pjesë dhe tërësi e një rruge që nuk e ka lakuar, e një sintagme të papërfunduar.
Vetëtima ndjenjore, si ajo e Lasgushit, ndeshet me shkëlqim verbues. Ai ka formulat e veta të pangatërrueshme lirike; në to është sinteza: gjithnjë i pakënaqur.
Cilësitë poetike në rrafshin formal dhe përmbajtjesor nisin dhe përfundojnë me të njëjtin intensitet: vargu i ngjeshur deri në përkryerje me një mori simbolesh korresponduese ndër vete, rishfaqja e vazhdueshme e formulave lirike edhe të ndërlidhura me proceset magjike të natyrës, një rimë simpatike dhe e padetyrueshme, një rrjedhshmëri e përkryer e zhvillimit të mendimit dhe prirja e hollë për tragjedinë.
Përdorues shumë i kujdesshëm i gjuhës, konsekuent në terminologjinë poetike, i ngjeshur dhe i kursyer deri në tepri. Poezia e Shaip Beqirit i ngjan një lëmimi simetrik.
Arkitektura e tij lirike është e përmbajtur në kompleksin tematik. Edhe pse ai është në kërkim të triumfit, ai, njëkohësisht i reziston gjetjes së tij. Me këtë, të paktën kështu e shoh unë, ai transmeton mesazhin se frymëmarrja e tij e gjatë e ka qejf shqetësimin dhe zgjidhja nuk është motoja e tij. Kjo mund të krahasohej me veprimin e hedhjes së një guri drejt qiellit, në një ditë të mrekullueshme dhe pritjen e kotë të kthimit të tij mbrapa në tokë.
Dhe njeriu pret, sikundër pret në një libër të Dino Buxatit një personazh me vesh ngjitur në shkretëtirë ardhjen e armiqve, me të cilët nuk do të përballohet kurrë. Përballimi me ngadhënjimin në këtë hije mund të shkatërrojë sistemin e numrave, të cilët këtu llogariten kujdesshëm.
Mirëpo, a humb apo fiton personazhi lirik në vorbullën e udhëtimit të njëjtë dhe si duhet shikuar mëdyshja e konkluzionit në këtë vazhdë, përgjigjja e padefinuar. Ai nuk gjen zgjidhje, mësa kanë gjetur të tjerët para tij, sepse ajo zgjidhje, për krijuesit e kalibrit të tij, nuk do të kishte kuptim dhe shtegu do të mbyllej, sikundër që pushon magjepsja e mëhershme pas ngjitjes së një majë të adhuruar.
Mesazhi se pastaj vjen edhe diçka, se drama vazhdon, sikundër vazhdon zhvillimi njerëzor, gjendet si çarje e qartë në profilin e problemeve që trajtohen.
Pyetjes dhe mundësisë, nëse ai do t'u rikthehet ndonjëherë sërish këtyre vargjeve dhe si do të duket pastaj "mëkati", nuk guxoj t'i jap përgjigje.
Por, guxoj të shpall një bindje se Shaip Beqiri vazhdon të shkruajë me besnikëri në të njëjtin varg, me të njëjtin pasion si asnjëri prej nesh këtu në dimensionin rezervë dhe si rrallëkush tjetër.